Një aksident tragjik ka ndodhur në magjistralen Mitrovicë-Pejë, ku si pasojë kanë humbur jetën tre persona, ndërsa pesë të tjerë kanë pësuar lëndime.
Komandanti i zjarrfikësve në Skenderaj, Liman Geci, ka deklaruar për Dukagjinin se njëri nga viktimat, shoferi i një prej veturave të përfshira, ka vdekur në vendin e ngjarjes, dhe se mosha e tij ishte rreth 55 vjeç.
“Ne jemi në 24 orë në shërbim të qytetarëve të Skenderajt, kemi marrë informatë për një aksident në magjistralen Mitrovicë – Pejë. Ne e kemi nxjerrë shoferin i cili ka qenë brenda në veturë, e kemi tërhequr kufomën e tij. Kemi informacione që janë tetë të lënduar dhe tre të vdekur”, ka deklaruar ai.
Geci gjithashtu ka njoftuar se janë tërhequr kufomat dhe veturat, dhe rruga tani është e kalueshme.

“Aksidenti ishte shumë i rëndë, janë tërhequr kufomat dhe veturat. Tani rruga është e kalueshme. Ajo çfarë kemi parë sot ishte shumë e rëndë, dhe iu bëj apel qytetarëve që kenë kujdes në rrugë të panjohura. Shoferi i veturës ka vdekur në vendin e ngjarjes, mosha ishte rreth 55 vjeçar. Për ata të tjerët nuk kemi informata”, ka deklaruar Geci për Dukagjinin.
Për momentin, nuk janë dhënë detaje të tjera për gjendjen e të lënduarve.

