Perspektiva dhe vazhdimi i procesit eurointegrues varet kryekëput nga plotësimi i kushteve që i kërkon Bashkimi Evropian, të kryesuara nga ndryshimet kushtetuese, thotë për TVM2, ish-ambasadori, Muhamed Halili.
Megjithatë, ai është optimist se ekzekutivi do të gjejë një mënyrë për ta hequr pengesën e rrugës evropiane. Se Bashkimi Evropian shpërblen sipas meritave është fakt Shqipëria, e cila tashmë është një hap përpara vendit tonë me hapjen e grupkapitujve, shton Halili.
“Si do të jetë e ardhmja është vështirë të qëllohet, por megjithatë e ardhmja do të vijë, së pari, po që se përmbushen të gjitha kriteret që i ka caktuar BE-ja për Maqedoninë, e dyta, po që se Bullgaria në njëfarë mënyre pendohet edhe bën lëshime që mos t’i përmbushim të gjitha kërkesat e asaj, sepse dihet, kriteri i Qeverisë është që PO ndryshime kushtetuese, por me një afat të zgjatur. Por, megjithatë do të gjendet mënyrë se si RMV-ja të ecë përpara, cila do të jetë ajo mënyrë, këtë e cakton Qeveria.”, – deklaroi ish-ambasadori, Muhamed Halili.
Faji për ngecje nuk duhet të kërkohet tek Bullgaria, por tek të dy aktorët tjerë, BE-ja dhe Maqedonia e Veriut, vlerëson ish-ambasadori, Nano Ruzhin.
“Ne këtu nuk kemi problem me Bullgarinë, kemi problem me Bashkimin Evropian. Pra, çështja ka të bëjë me dy lojtarë, BE-ja dhe vendi ynë. BE-ja fuqishëm është e vendosur ta çojë deri në fund atë që është nënshkruar, respektivisht, të bëhet ndryshimi i Kushtetutës nëse duam të vazhdojmë me bisedimet me BE-në.”, – theksoi ish-ambasadori, Nano Ruzhin.
Ndërkohë, raportet më të reja mes ShBA-së dhe BE-së, pasi presidenti Tramp vendosi për tarifa të reja për tregun evropian, ish-ambasadori Gjorgji Filipov thotë se këto masa nuk ndikojnë në ekonominë e vendit tonë. Raportet duhet të mbahen edhe me BE-në edhe me partnerin strategjik, shton ai.
“Ne i ndjekim të dyja rrugët. Gjeografikisht jemi në Evropë dhe duhet patjetër të jemi me Evropën dhe po ashtu ekonomikisht jemi më të lidhur me Evropën, por nga ana tjetër ShBA-ja është partneri strategjik, që do të thotë lidhja me NATO-n, dhe besoj se kjo nuk do të ndikojë tek ne.”, – u shpreh ish-ambasadori, Gjorgji Filipov.
Edhe ish-ambasadori, Muhamed Halili, është i mendimit se situata aktuale mes ShBA-së dhe BE-së mbi tatimet e shtuara ndaj Evropës, nuk ka të bëjë me vendet aspirante. Aq më tepër kur partneri amerikan e di se ekonomitë e vogla sikur kjo e vendit tonë, nuk mund t’i përballojnë ngarkesat e reja.(TVM2)